Sondazhi: Rinia pa perspektivë, 85 për qind e tyre do të largoheshin jashtë
Tetë në dhjetë të rinj shqiptarë do të zgjidhnin të largoheshin jashtë vendit për një periudhë të gjatë, për shembull për të punuar, ndërsa shumica e qytetarëve nuk besojnë se brezi i ri ka një të ardhme të mirë në Shqipëri.
Sipas Sondazhit Kombëtar për Shqipërinë të Institutit Republikan Ndërkombëtar, 85% e të anketuarve të moshës 18–35 vjeç do të shkonin jashtë vendit nëse do t’u jepej mundësia. Prej tyre, 46% thonë se do të largoheshin patjetër dhe 39% se me shumë gjasa do ta bënin këtë. Vetëm 14% shprehen kundër largimit, ndërsa më pak se 1% nuk japin përgjigje.
Prirja për t’u larguar shoqërohet me një përkeqësim të fortë të perceptimit për perspektivën e brezit të ri. Rreth 69% e shqiptarëve mendojnë se të rinjtë e sotëm nuk kanë një të ardhme të mirë në vend, ndërsa vetëm 29% shohin perspektivë pozitive.
Përqindja e qytetarëve që nuk shohin të ardhme për të rinjtë është rritur me 12 pikë përqindjeje krahasuar me nëntorin 2024, kur ishte 57%, dhe me 16 pikë kundrejt dhjetorit 2023, kur arrinte në 53%. Megjithatë, niveli aktual është pranë rezultatit të shkurtit 2023, kur pesimizmi arrinte në 68%.
Vetë të rinjtë ndajnë pothuajse të njëjtin vlerësim. Mes grupmoshës 18–35 vjeç, 69% mendojnë se brezi i tyre nuk ka një të ardhme të mirë në Shqipëri dhe vetëm 30% shprehen pozitivisht.
Arsimi i lartë nuk e zbeh prirjen për largim
Gatishmëria për të shkuar jashtë rritet së bashku me nivelin arsimor. Mes personave me arsim universitar ose më të lartë, 72% do të largoheshin për një periudhë të gjatë: 37% patjetër dhe 35% me shumë gjasa.
Te personat me arsim të mesëm ose profesional, përqindja arrin në 61%, ndërsa mes atyre që nuk e kanë përfunduar arsimin e mesëm zbret në 45%.
Të dhënat tregojnë se emigrimi potencial nuk kufizohet te personat me kualifikim të ulët apo me më pak mundësi në tregun e punës. Përkundrazi, gatishmëria më e lartë për largim rezulton mes të arsimuarve, duke sinjalizuar rrezikun e vazhdimit të emigrimit të kapitalit njerëzor.
Dallimi më i madh vërehet mes grupmoshave. Pas të rinjve, 68% e personave 36–55 vjeç do të shkonin jashtë, ndërsa te qytetarët mbi 56 vjeç përqindja zbret në 28%.
Në zonat e tjera urbane, 61% do të largoheshin, krahasuar me 58% në Tiranë dhe 51% në zonat rurale. Në rang kombëtar, 56% e të gjithë të anketuarve deklarojnë se do të shkonin jashtë vendit për një periudhë të gjatë, ndërsa 43% nuk do ta bënin këtë.
Gjendja ekonomike thellon pesimizmin
Perceptimi për të ardhmen e të rinjve ndryshon ndjeshëm sipas gjendjes ekonomike të familjes. Mes personave që deklarojnë se kanë vështirësi të ushqejnë familjen dhe të blejnë edhe gjërat më të domosdoshme, 86% mendojnë se brezi i ri nuk ka të ardhme të mirë në Shqipëri.
Te familjet që kanë të ardhura vetëm për mbijetesë, por jo për shpenzime shtesë, pesimizmi arrin në 75%. Përqindja zbret në 61% te qytetarët që mund të përballojnë disa gjëra përtej nevojave bazë dhe në 45% te grupi me gjendjen më të mirë ekonomike.
Në kategorinë e fundit, 50% besojnë se të rinjtë kanë një të ardhme të mirë në vend, duke qenë i vetmi grup ku vlerësimi pozitiv është më i lartë se ai negativ.
Edhe arsimi sjell disa ndryshime në perceptimin për të ardhmen, por pesimizmi mbetet shumicë në të gjitha kategoritë. Rreth 72% e personave pa arsim të mesëm të përfunduar nuk shohin një të ardhme të mirë për të rinjtë, krahasuar me 69% të atyre me arsim të mesëm ose profesional dhe 63% të personave me arsim universitar./ekofin.al